Shpërthen zjarr i ri afër Los Angelesit, evakuohen dhjetëra mijëra njerëz - NACIONALE

Shpërthen zjarr i ri afër Los Angelesit, evakuohen dhjetëra mijëra njerëz

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zjarr i ri në natyrë, i cili po përhapet shpejt, ka shpërthyer në distriktin e Los Angelesit në ShBA, duke nxitur dhjetëra mijëra njerëz që të evakuohen nga një rajon që tashmë po vuan nga zjarret më shkatërruese në historinë e tij.

Zjarri “Hughes” filloi rreth 70 kilometra në veriperëndim të qytetit Los Angeles të mërkurën në mëngjes, afër Liqenit Castaic, në një zonë malore që kufizohet me disa zona banimi e shkolla, raporton televizioni BBC.

Flakët u përhapën në më shumë se 3 mijë e 700 hektarë për disa orë të mërkurën, të nxitura nga erërat dhe shkurret e thata. Asnjë shtëpi apo biznes nuk është dëmtuar dhe zyrtarët e zjarrfikësve shprehën besim për vënien e zjarrit nën kontroll.

Zjarri i ri ndodhet në veri të dy zjarreve të mëdha, të cilat ende janë aktive dhe që shkatërruan shumë lagje në zonën e Los Angelesit më herët këtë muaj.

Rajoni ndodhet përsëri nën paralajmërimin me ngjyrë të kuqe, me të cilin kërkohet kujdes kundër rrezikut të lartë nga zjarri për shkak të erës së fortë dhe motit të thatë.

Rreth 31 mijë njerëz në zonë janë nën urdhrin për evakuim të detyrueshëm dhe 23 mijë të tjerë janë paralajmëruar se mund të detyrohen që të largohen, tha komandanti rajonal i policisë, Robert Luna.

Lajme të ngjashme