Shpërthen vullkani në Japoni, kërkohet evakuimi i banorëve - NACIONALE

Shpërthen vullkani në Japoni, kërkohet evakuimi i banorëve

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Natën e së dielës ka shpërthyer një vullkan në një ishull të Japonisë, duke nxjerrë hi e gurë. E ndërsa nuk është raportuar për dëme, banorët në zonat e afërta janë këshilluar të evakuohen.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se vullkani Sakurajima ka shpërthyer duke hedhur në erë shkëmbinj të mëdhenj deri në 2.5 kilometra largësi.

Ndërsa, pamjet e publikuara në televizionin publik japonez NHK, shfaqën flakë që shkëlqenin pranë kraterit dhe tym të errët hiri që dilte nga maja e malit.

"Ne do të vendosim jetën e njerëzve në radhë të parë dhe do të bëjmë çmos për të vlerësuar situatën dhe për t'iu përgjigjur çdo urgjence," u tha gazetarëve zëvendës shefi i sekretarit të kabinetit Yoshihiko Isozaki. Ai u bëri thirrje banorëve në zonë që t'i kushtojnë vëmendje përditësimeve të fundit nga autoritetet lokale për të mbrojtur jetën e tyre.

Agjencia po ashtu tha se ka ngritur alarmin e shpërthimit në nivelin më të lartë prej pesë dhe rreth 120 banorë në dy qytete përballë vullkanit janë këshilluar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme