Shkon në rreth 200 numri i ushtarëve amerikanë të plagosur në luftën kundër Iranit
Numri i trupave amerikane të plagosura në luftën kundër Iranit ka shkuar në rreth 200, tha të hënën ushtria amerikane, kur konflikti tashmë ka hyrë në javën e tretë.
Agjencia e lajmeve “Reuters” kishte raportuar fillimisht javën e kaluar se rreth 150 ushtarë amerikanë janë plagosur në konflikt, duke e vënë në pah rrezikun nga sulmet hakmarrëse iraniane.
Në një deklaratë, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se shumica e këtyre ushtarëve kanë pësuar lëndime të lehta dhe se 180 trupa tashmë janë rikthyer në detyrë.
Përpos të lënduarve, 13 ushtarë amerikanë janë vrarë që nga koha kur Irani nisi kundërsulme hakmarrëse ndaj bazave ushtarake të ShBA-së pas fillimit të konfliktit më 28 shkurt.
Nga sulmet iraniane janë goditur edhe misione diplomatike, hotele e aeroporte si dhe është dëmtuar infrastruktura energjetike në shtetet arabe të Gjirit Persik.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme kundër më shumë se 7.000 shënjestrave në Iran. Javën e kaluar, Trumpi tha se forcat amerikane goditën qendra ushtarake në Ishullin Kharg, pikë ku trajtohen 90 për qind të eksporteve iraniane të naftës.