Shkon në 53 numri i të vrarëve nga sulmet ajrore të ShBA-së në Jemen, thonë rebelët Houthi - NACIONALE

Shkon në 53 numri i të vrarëve nga sulmet ajrore të ShBA-së në Jemen, thonë rebelët Houthi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore të forcave amerikane në Jemen ka shkuar në 53, përfshirë pesë fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga rebelët Houthi.

ShBA-ja tha se nisi valë sulmesh ajrore “vendimtare dhe të fuqishme” ndaj caqeve të rebelëve Houthi të shtunën. Presidenti Donald Trump i përmendi si arsyetim sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve në Detin e Kuq, raporton televizioni BBC.

Zyrtarët amerikanë thanë se në mesin e të vdekurve ishin disa figura kyçe të rebelëve Houthi, por grupi nuk e ka konfirmuar këtë.

Udhëheqësi i grupit, Abdul Malik al-Houthi, tha se militantët e tij do të vënë në shënjestër anije amerikane në Detin e Kuq për aq gjatë sa ShBA-ja i vazhdon sulmet ndaj Jemenit.

Duke përditësuar një shifër të mëhershme të viktimave, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Anis al-Asbahi, tha se 53 njerëz ishin vrarë, “përfshirë pesë fëmijë e dy gra”, ndërsa 98 persona të tjerë kishin pësuar lëndime.

Një baba i dy fëmijëve, që u prezantua me emrin Ahmed, agjencisë së lajmeve AFP i tha: “Unë jam duke jetuar në Sanaa për dhjetë vjet, duke dëgjuar predha gjatë tërë luftës. Për Zotin, kurrë nuk kam përjetuar më parë diçka si kjo.”

Rebelët Houthi thanë se pati sulme të reja amerikane, të cilat i shënjestruan ata në Jaouf dhe Hudaydah të hënën herët. ShBA-ja ende nuk ka komentuar./Nacionale

Lajme të ngjashme