Shkelje e privatësisë? Kurtit s’i durohet pa ia shikuar telefonin Alban Hysenit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e vizitoi Komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje.
Një hollësi interesante, që ndoshta pak njerëz e kanë vërejtur, ra në sy në fillim të konferencës së përbashkët për gazetarë, kur kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, po përgatitej të fliste.
Para se ta merrte fjalën, Hyseni e kontrolloi pak telefonin e tij. Kryeministri Kurti nuk e humbi rastin që t’ia lëshonte një sy telefonit të Hysenit nga distanca, shkruan Gazeta Nacionale.
Nuk dihet se çfarë kishte në ekranin e telefonit të kryetarit të Gjilanit dhe nëse kryeministrit Kurti i është shuar kureshtja për të parë a lexuar ndonjë gjë në ekran, por gjesti i shefit të Qeverisë ndoshta mund të cilësohet shkelje e privatësisë, duke e pasur parasysh faktin se telefoni mobil është pronë personale dhe përmbajtja në të është tërësisht gjë private.