Kryeshefi i “Prishtina Parking” detyrohet të lëshojë pozitën për shkak të kontratës 750 mijë euroshe
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se është shkarkuar nga pozita Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, Liridon Restelica.
Rama ka treguar se deri tek vendimi është ardhur si rezultat i keqpërdorimit të pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve.
“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL Prishtina Parking" ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”.Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022. “ – shkroi Rama.
Njoftimi i Ramës në Facebook:
Kujtojmë që hiç më pak se 750 mijë euro i ka planifikuar t’i shpenzojë në një tender, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” në kryeqytet, për një aplikacion rreth menaxhimit të parkingjeve, për të cilën Nacionale ka shkruar gjerë e gjatë ditë më parë.
Kjo ka bërë që kontrata, e cila është arritur në procedurë të negociuar, pa publikim, të cilësohet si e dyshimtë nga asamblistët e komunës së Prishtinës dhe ekspertët. E një tjetër tendër 12-milionësh, kohë më parë, ishte kritikuar nga opozita e Përparim Ramës, kryetari i Prishtinës. Ndërsa, nënkryetarja e kryeqytetit, ka thënë se do të marrë më shumë informacione nga Ndërmarrja, duke theksuar se nuk do të lejojë keqpërdorime.

Përveç kritikës për çmimin ekstrem të lartë, që ekspertët thonë se do të mund të realizohej me 50 mijë euro, kontrata është arritur në procedurë të negociuar, e pa publikim.
Nënkryetarja e Prishtinës nga PDK, Donjeta Sahatçiu ka thënë se kontrata në vlerë prej 750 mijë eurove ka shumë pikëpyetje.
Ajo ka thënë se ka kërkuar informata nga kryeshefi për konstatim përfundimtar dhe se përderisa është në kryeqytet si nënkryetare nuk do të ketë tolerancë ndaj keq-qeverisjes.
“Shumë pikëpytje në kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për "Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës. Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK në Prishtinë, të udhëhequr nga unë, është qesharak. Nëse është dikush në Kryeqytet që mund të thirret për ekspertizë në shërbime të tilla me softuer - jam unë. Dhe unë, jam edhe Nënkryetare e Kryeqytetit nga PDK.”, shkroi ajo.