Shërbyesit civil të shqetësuar me projektligjin e ri, Gashi: Do të dërgohet përsëri në Kushtetuese
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, ka bërë me dije se shërbyesit civil janë të shqetësuar me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publik.
Ai ka bërë me dije se Qeveria nuk ka marrë për bazë fare vërejtjet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Qeveria qëllimisht po e bën një gjë të tillë.
“Të them të drejtën jemi të shokuar nga rendi i kësaj qeverie në vazhdimësi që ta atakoj shërbimin civil dhe kjo është hapi i fundit, shpresoj që të jetë i fundit që përmes një draftligji, për plotësim dhe ndryshim të ligjit zyrtar publik tenton që ta sulmoj prapa shërbimin civil ku me theks të vençat, me vetëdije të plotë besojmë që kjo qeveri qëllimisht nuk dëshiron ti respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, KO 220 dhe KO 216, në mënyrë specifike dhe në mënyrë të qartë e thotë që pozitat e ulëta dhe të mesme të zyrtarëve publik nuk preken pasi konsiderohen e drejtë e fituar”, ka thënë Gashi për “Ekonomia Online”.
Ndër të tjera, Gashi ka bërë me dije se projektligji në fjalë do të dërgohet prapë në Kushtetuese nëse nuk ndryshohet.
“Padyshim që ky ligj në qoftes tentohet të shkohet kështu padyshim që do i nënshtrohet Gjykatës Kushtuese. Po kjo është fatkeqësi që kjo qeveri po e dëshmon që është e pa ndërgjegjshme duke e marrë përsysh që nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe për një temë siç është, për një ligj të dërgohet dy herë në Gjykatën Kushtuese tregohet niveli i papërgjegjshmërisë dhe mungesën e dijes”, ka thënë ai.