Shefi i misionit të OSBES-së: Jemi të tmerruar me rastet e vrasjes së grave që po ndodhin në Kosovë
Shefi i misionit të OSBES-së në Kosovë, Michael Davenport, ka folur për vrasjen e dy grave që në dy javët e fundit gjetën vdekjen në Kosovë nga burrat e tyre.
Davenport tha se janë të shokuar nga ajo që panë e dëgjuan sa fundmi në Kosovë.
“Sipas shifrave të Policisë së Kosovës, gjatë dy javëve të fundit në Kosovë ka ndodhur vrasja e një gruaje, dy dhunime ndaj të miturve, tri dhunime ndaj grave dhe një sulm i dhunshëm me bazë gjinore kundër një burri në Prizren. Të gjitha këto duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për të gjithë ne, për të dyfishuar përpjekjet tona për të luftuar këtë fenomen dhe për të çrrënjosur dhunën në familje një herë e përgjithmonë", ka thënë Davenport.
Në tryezën me temën “Siguria dhe qasja në drejtësi për viktimat në familje”, që të mërkurën është organizuar nga ky mision, Davenport, ka thënë se posedimi i armëve, është një nga faktorët, që rastet e dhunës kundër grave po përfundojnë tragjikisht.
Ai ka theksuar se misioni i OSBE-s në Kosovë është i përkushtuar që të mbështes Kosovën në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Ndërkohë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, pjesëmarrës në tryezë ka praniar se dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje.
"Dhuna në familje për fat të keq po pëson rritje, me ç ‘rast vetëm për periudhën janar-tetor 2022 kemi 2333 viktima, 1901 prej të cilëve janë gra e vajza. Ky është një realitet i hidhur që po ndodhë në vendin tonë, por është edhe kambanë alarmi se angazhimi ndërinstitucional duhet të intensifikohet, masat dhe veprimet e deritanishme nuk po mjaftojnë dhe duhet të avancojnë në mënyrë që të gjithë ne të jemi më efikas në parandalim dhe në reagim në rastet e cenimit të jetës së vajzave dhe grave tona. Në rastin e Hamide Magashit vërtetohet që ka pasur mungesë të koordinimit dhe neglizhencë në rastet me të cilat e ndjera është ballafaquar”, ka thënë Gashani.