ShBA u përgjigjet me kujdes raportimeve për raketa ruse në Poloni - NACIONALE

ShBA u përgjigjet me kujdes raportimeve për raketa ruse në Poloni

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Raportimeve se në territorin polak kanë rënë raketa ruse, amerikanët u janë përgjigjur me shumë kujdes.

Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit, kanë thënë se nuk mund të konfirmojnë atë që ka ndodhur dhe se janë duke punuar me qeverinë polake për të mbledhur më shumë informacion.

Ata gjithashtu kanë përsëritur angazhimin e Amerikës për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s nëse sulmohet, diçka që presidenti Joe Biden e ka quajtur një "detyrim të shenjtë".

Por, siç duket deri më tani as ShBA dhe as aleatët e saj në NATO nuk kanë dashur të tërhiqen në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Departamenti i Shtetit tha se qëllimi do të ishte një faktor në përcaktimin e hapave të ardhshëm.

Ndërsa, Kurt Volker, një ish i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ukrainën, ka thënë për BBC-në, se ishte shumë e rëndësishme të vërtetohej nëse ndonjë sulm raketor në territorin polak kishte qenë i qëllimshëm apo aksidental.

Ai ka shtuar se, NATO-ja duhet të kërkojë një shpjegim të qartë nga Rusia, dhe nëse një raketë ka humbur rrugën, të ndërmarrë hapa për t'u siguruar që nuk do të ndodhë më.

Lajme të ngjashme