ShBA ndan edhe 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën
ShBA ka njoftuar një pako të re ndihme prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, në të cilën do të përfshihen armë, municione dhe pajisje të mbrojtjes ajrore.
Në një deklaratë të dhënë, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se: “Municionet e artilerisë, zjarret precize, raketat e mbrojtjes ajrore dhe mjetet taktike që ne po ofrojmë do t'i shërbejnë më së miri Ukrainës në fushën e betejës.”
Më tej, Pentagoni tha se pako përfshinte municione shtesë për sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS, sisteme raketash artilerie me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), dhe mitralozë të rëndë me pamje termike për t'iu kundërvënë dronëve rusë dhe më shumë se 20 milion fishekë municionesh të armëve të vogla.
U njoftua se në pako do përfshihen edhe më shumë se 200 gjeneratorë për të ndihmuar Ukrainën të përballet me ndërprerjet e energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet ruse në infrastrukturën energjetike.
Pas njoftimit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, falënderoi presidentin amerikan Joe Biden dhe u zotua se vendi i tij "nuk do të trembet nga sulmet terroriste frikacake çnjerëzore të kriminelëve rusë të luftës".
