ShBA-ja thotë se Rusia synon që t’i fabrikojë provat për vdekjen e të burgosurve
Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia është duke punuar që t’i fabrikojë provat në lidhje me sulmin vdekjeprurës të javës së kaluar në një burg me të burgosur të luftës në një rajon separatist të Ukrainës lindore.
Zyrtarët amerikanë të inteligjencës vlerësojnë se Rusia po synon që të vendosë dëshmi të rreme për ta bërë situatën që të duket sikur forcat ukrainase ishin përgjegjëse për sulmin e 29 korrikut në burgun në Olenivka, ku vdiqën 53 persona e u lënduan dhjetëra të tjerë, tha një zyrtar amerikan me njohuri për rezultatet e inteligjencës.
Rusia ka pretenduar se ushtria ukrainase ka përdorur raketahedhës të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara për ta sulmuar burgun në Olenivka, vendbanim i kontrolluar nga e ashtuquajtura Republikë Popullore e Donetskut.
Sidoqoftë, ushtria ukrainase ka mohuar se ka kryer ndonjë sulm me raketa ose artileri në Olenivka. Njësiti i inteligjencës në Ministrisë e Mbrojtjes të Ukrainës ka pretenduar se ka dëshmi që separatistët lokalë kanë bashkëpunuar me agjencinë ruse të inteligjencës, FSB, dhe grupin e mercenarëve “Wagner” për ta minuar barakën para “përdorimit të një substance të ndezshme, që çoi te përhapja e shpejtë e zjarrit në dhomë”.