ShBA-ja thotë në OKB se të gjitha opsionet janë në tavolinë për t’i ndalur vrasjet në Iran
Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me “popullin trim të Iranit” dhe presidenti Donald Trump “ka bërë të qartë se të gjitha opsionet janë në tavolinë për ta ndalur masakrën”, tha të enjten në Këshillin e Sigurimit ambasadori i ShBA-së në OKB, Mike Waltz.
Trumpi në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar me ndërhyrje për t’i mbështetur protestuesit në Iran, ku mijëra njerëz raportohet të jenë vrarë gjatë shtypjes së protestave kundër pushtetit të klerikëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, të enjten, Trumpi paraqiti një pozicion më tepër si “prit dhe shiko”, duke deklaruar se i është thënë që vrasjet ishin duke u ndalur dhe se besonte që nuk kishte plane për ekzekutime të nivelit të lartë nga autoritetet iraniane.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara i hodhi poshtë pretendimet e Iranit se protestat janë “komplot i huaj për të qenë pararendëse të veprimeve ushtarake”.
“Të gjithë në botë duhet të dinë se regjimi [iranian] është më i dobët se kurrë më parë, prandaj po e çon përpara këtë gënjeshtër, për shkak të fuqisë së popullit iranian në rrugë. Ata janë të frikësuar. Po frikësohen nga populli i vet” – tha diplomati amerikan.
Në anën tjetër, zëvendësambasadori iranian në OKB, Gholamhossein Darzi, tha se vendi i tij nuk kërkon përshkallëzim apo konfrontim dhe e akuzoi ambasadorin amerikan se po zgjedh “gënjeshtra, shtrembërim të fakteve dhe një fushatë të qëllimshme dezinformuese për ta fshehur përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendit të tij në çuarjen e trazirave në Iran drejt dhunës”.
“Sidoqoftë, çfarëdo akti i agresionit – i drejtpërdrejtë apo i tërthortë – do të ballafaqohet me një kundërpërgjigje vendimtare, proporcionale dhe të ligjshme. Ky nuk është kërcënim, është një deklaratë e realitetit ligjor” – shtoi ai.