ShBA-ja do që Netanyahu ta dënojë rrethimin e kolonëve në fshatin palestinez, thonë zyrtarët
Shtetet e Bashkuara duan që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, t’i dënojë publikisht kolonët militantë që kanë rrethuar disa palestinezë në shtëpitë e tyre në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë të premten disa zyrtarë amerikanë e izraelitë, përderisa kolonët u bënë presion banorëve duke ngritur një tendë të re para se të arrinin ushtarët izraelitë dhe ajo të hiqej.
Kolonët janë duke mbajtur nën rrethim disa shtëpi në Qusra për gati një javë, pasi ua ndërprenë furnizimin me ujë dhe rrymë, duke i lënë të ngujuar palestinezët në një zonë ku grupet për të drejtat e njeriut thonë se kolonët po bëjnë një përpjekje të bashkërenduar për të kapur më shumë toka, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar amerikan dhe një zyrtar izraelit thanë të premten se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë po e shtyjnë Netanyahun që publikisht t’i dënojë veprimet e kolonëve.
Uashingtoni filloi të protestonte, pasi mori vesh se shtëpia e një amerikano-palestinezi ishte në mesin e atyre që janë vënë në shënjestër, thanë dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti.
“Një Breg Perëndimor stabil e mban Izraelin të sigurt dhe është në vijë me qëllimin e kësaj administrate për të arritur paqe në rajon” – tha në një deklaratë për agjencinë “Reuters” të premten një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.