ShBA-ja abstenon në rezolutën e OKB-së për “armëpushim të plotë” në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara të martën abstenuan gjatë votimit të një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që bënte thirrje për “paqe të qëndrueshme në Ukrainë”. Votimi u bë me rastin e 4-vjetorit të fillimit të luftës.
Rezoluta e propozuar nga Ukraina bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe të pakushtëzuar” dhe “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në vijë me të drejtën ndërkombëtare”. Ajo gjithashtu i riafirmon “sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shkruan mediumi “Kyiv Independent”.
Rezoluta u miratua me 107 vota “për” gjatë një mbledhjeje urgjente të Asamblesë së Përgjithshme. Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e 51 vendeve, përfshirë Kinën e Indinë, që abstenuan. 12 shtete, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Iranin e Korenë e Veriut, votuan kundër rezolutës.
Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme, zëvendëspërfaqësuesja e ShBA-së në OKB, Tammy Bruce, tha se Uashingtoni i mbështet thirrjet për armëpushim, por beson se gjuha e kësaj rezolute mund të “shpërqendrojë” nga bisedimet e vazhdueshme të paqes.