ShBA e zhgënjyer me Kosovën, Haradinaj: Kurti t’i përfillë këshillat e vendeve mike
Gjatë ditës së premte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë vendimin e fundit për targa.
Këtë vendim, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e she si të paharmonizuar dhe të pakonsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA, dhe sipas tij është një vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin.
“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të Botës të na ndihmojnë t'i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë, dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjik”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ndër të tjera ka thënë se nuk mund t’u kërkosh vendeve mike ndihmë e të mos i përfillësh këshillat e tyre, aq më tepër kur ato, jo vetëm se të kanë marrë nën mbrojtje, por falë edhe angazhimit të tyre, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur dhe sipas tij kjo është në kundërshtim edhe me traditën shqiptare.
“Kryeministri duhet t'i analizojë mirë hapat e tij dhe në këtë fazë jetike për vendin duhet të jetë në harmoni të plotë me Amerikën dhe BE-në. Andaj, i kërkoj ta rishikojë edhe vendimin për targat. Dua të besoj se zhgënjimi i shprehur i partnerëve tanë me këtë vendim të kryeministrit, nuk do të ketë pasoja për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka Kosova me ta”, ka përfunduar Haradinaj.
