Serwer i reagon deputetit gjerman për Asociacionin: Beogradi dëshiron një Republikë Serbe 2.0
Daniel Serwer, profesor i njohur amerikan, ka komentuar deklaratën e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, Micheal Roth, i cili theksoi se Asociacioni do të duhej të dukej si një strukturë federale, por që nuk e rrezikon unitetin e Kosovës.
“Që të jem shumë i qartë jam shumë kundër Republika Srpska’s 2.0 këtu në Kosovë, por një strukturë federale një ndarje e drejtë e kompetencave që nuk është kërcënim apo rrezik për unitetin e Kosovës mund të jetë opsion për t’i kapërcyer kontestet e së kaluarës dhe për t’i përmbushur zotimet që janë në tavolinë që 10 vjet. Dhe mendoj se nuk dua t’i lë në hije bisedimet e nivelit të lartë me spekulime. Dhe të dyja palët e dinë se sa me rëndësi është që të ecet para, që të pajtohen për rezultate pozitive.” – deklaroi ditë më parë deputeti gjerman Roth.
Në lidhje me këtë çështje, Serwer i tha Expressit se Beogradi dëshiron një Republika Srpska 2.0.
“Kosova tashmë u ka transferuar ka një pjesë të madhe të autoritetit tek komunat e saj, të cilat mund të koordinohen sipas dëshirës (dhe shumë e bëjnë këtë përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës). Ajo që dëshiron Beogradi është Republika Srpska 2.0. Nuk e di se çfarë ka në mendje z. Roth, por do të ishte më mirë të përdornin kompetencat që komunat tashmë kanë në vend që të krijonin një strukturë të re.” – deklaroi Serwer.