Senati i ShBA-së e rrëzon rezolutën që do t’ia kufizonte Trumpit pushtetin për luftë - NACIONALE

Senati i ShBA-së e rrëzon rezolutën që do t’ia kufizonte Trumpit pushtetin për luftë

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Anëtarët republikanë të Senatit të Shteteve të Bashkuara rrëzuan një rezolutë në lidhje me kompetencat për veprime ushtarake nga presidenti.

Me këtë rezolutë do të kërkohej miratimi nga Kongresi para ndonjë sulmi të mëtejmë ushtarak, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

47 senatorë e mbështetën rezolutën, por 53 të tjerë votuan kundër saj. Për miratim nevojiteshin të paktën 51 vota, shumica e thjeshtë.

Një masë e ngjashme në Dhomën e Përfaqësuesve gjithashtu pritet ta ketë të vështirë miratimin, sepse shumicën e ulëseve e kanë republikanët e presidentit Donald Trump. Votimi në dhomën e ulët të Kongresit do të bëhet të enjten në mëngjes.

Edhe nëse rezoluta do të miratohej me shumicë të thjeshtë nga Kongresi, me shumë gjasë ajo do të bllokohej me veto nga presidenti.

Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, ka thënë se më shumë forca amerikane do të arrijnë në Lindjen e Mesme dhe se Uashingtoni “do ta marrë tërë kohën që na nevojitet për t’u siguruar se do të shënojmë sukses”.

Lajme të ngjashme