Senati i ShBA-së e ndalon TikTok-un në pajisjet që janë pronë qeveritare
Senati i Shteteve të Bashkuara të mërkurën miratuan një projektligj për t’ua ndaluar punëtorëve federalë përdorimin e aplikacionit të famshëm kinez, TikTok, në pajisjet që janë pronë qeveritare.
Ky projektligj duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve para se t’i dërgohet presidentit Joe Biden për ta nënshkruar e për t’u bërë ligj. Dhoma e ulët e Kongresit duhet ta miratojë projektligjin e Senatit para përfundimit të periudhës kongresiste, gjë që pritet të ndodhë javën e ardhshme.
Votimi i së mërkurës është veprimi më i ri nga ligjvënësit amerikanë në fushatën për shtypjen e kompanive kineze për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare nga frika se Pekini mund t’i përdorë këto kompani për t’i spiunuar amerikanët.
Në gushtin e vitit 2020, Senati njëzëri miratoi një legjislacion për ta ndaluar përdorimin e aplikacionit TikTok në pajisjet qeveritare. Shumë agjenci federale, përfshirë Departamentin për Sigurinë e Atdheut, tashmë e ndalojnë përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet që janë pronë qeveritare, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.
Përfaqësuesit e TikTok-ut kanë thënë se shqetësimet janë kryesisht të nxitura nga keqinformimi dhe me dëshirë do të takoheshin me ligjvënës për t’i diskutuar praktikat e kompanisë.
Në një seancë muajin e kaluar, drejtori i FBI-së, Chris Wray, tha se operacionet e TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara ngrenë shqetësime për sigurinë kombëtare.