Selmanaj: Takimi Kurti-Vuçiq, me koordinim a pa koordinim?
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksander Vuçiq.
Në seancën e stome të Kuvendit, ai ka thënë se askush nuk e di pse po ndodh ky takim.
Ai ka deklaruar se Kurti është dashur të raporton në Kuvend për këtë takim.
“Sot po ashtu po ndodh një takim në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Me thoni ju a e di kush agjendën se pse takohen këta dy njerëz? Me thoni ju mu se cila është tema që do ta diskutojnë këta? Ju rikujtoj që Kuvendit i Kosovës ka miratuar 3 rezoluta që e obligojnë Qeverinë e Kosovës para dhe pas çdo procesi negociata të raporton në Kuvendin e Kosovës. Kjo qeveri e ka shndërruar Kuvendin e Kosovës në spektatorin e fundit që merr vesh se çka po ndodh Bruksel. Ky takim a po bëhet me koordinim apo pa koordinim”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe për sanksionet e vendosura nga BE-ja.
“Sot është dita e 78 që Kosova është nën sanksione të vendosura nga aleatët tanë euro-atlantik. Ky numër i ditëve koincidon me 78 ditë të bombardimit kundër Serbisë. Qytetarë të Republikës krahasoni këto dy situata”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se kjo logjikë qeverisës është kundër interesave të Kosovës.