Selmanaj i brengosur pas fjalëve të Hovenier: Vjosa Osmanit s’i dëgjohet zëri
Aleanca me ShBA-në e përjetshme ndërsa Kurti kryeministër aksidental, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një reagim në Facebook pas fjalëve të shprehura dje nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, se “ka shqetësime” në ShBA me disa zgjidhje politike që ka synuar qeveria kosovare.
Selmanaj qortoi edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila mbahet për pro-amerikane si marka shënjuese më e madhe e pretenduar e saj.
“Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: ‘Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane’, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri”, ka shkruar Selmanaj.
Postimi i plotë i Selmanajt:
A ju kujtohet Albini kur thoshte: “S’di pse dikush u befasua që ambasadori amerikan ka më shumë informata se unë”?!
E pra, bash ai ambasadori i njëjtë amerikan 🇺🇸 sot qartazi thotë që Qeveria e Kurtit po punon kundër planit amerikan për Kosovën. Nuk besoj që ka shqiptarë në Kosovë që dyshojnë në planin e Amerikës për Kosovën.
Atëherë shtrohet pyetja: Cili është plani i Albinit? Nëse nuk është në përputhje me planin amerikan 🇺🇸 , për cilin plan punon Albini?
Për shumë dekada, burra dhe gra si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi, Xhemail Mustafa, e shumë të tjerë, kanë punuar shumë që Kosova të jetë në planet e Amerikës. Tani kemi një kryeministër që punon kundër planit të Amerikës 🇺🇸.
Më e thjeshtë se kaq nuk bëhet. Fatkeqësisht, sot nuk nuk mundesh me qenë edhe me Kosovën, edhe me Amerikën 🇺🇸 dhe me përkrahë Albinin.
Duhet ta dijmë të gjithë që Aleanca e popullit të Kosovës me 🇺🇸 SHBA-në është e përjetshme, ndërsa Albin Kurti thjesht është një kryeministër aksidental.
Edhe më e çuditshme është heshtja e Presidentes, e cila dikur thoshte: "Kosova është një histori suksesi e politikës së jashtme amerikane”, kurse në rastet e tilla nuk i dëgjohet zëri.