Sekuestrohen 2 kg heroinë dhe arsenal armësh në Suharekë, tre persona në ndalim - NACIONALE

Sekuestrohen 2 kg heroinë dhe arsenal armësh në Suharekë, tre persona në ndalim

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Prizren, 24 mars 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me organet e rendit, ka zhvilluar një operacion kundër veprimtarive kriminale që lidhen me narkotikë dhe armë pa leje në Suharekë.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje, në kuadër të një grupi, duke u marrë me shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të heroinës. Gjatë operacionit, përmes masave të veçanta hetimore dhe infiltrimit, janë sekuestruar rreth 2 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, e destinuar për treg ilegal.

Po ashtu, gjatë kontrolleve në disa lokacione janë gjetur dhe konfiskuar katër pistoleta, një pushkë gjuetie, dy karikatorë dhe 544 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar edhe para të gatshme, telefona dhe dy vetura të markave “Mercedes GLE” dhe “Land Rover”, që dyshohet se janë përdorur për aktivitetet e paligjshme.

Prokuroria ka nisur procedurë penale ndaj tre të dyshuarve me inicialet R.B., A.R. dhe B.B., për veprat penale që lidhen me narkotikë dhe posedim të paautorizuar të armëve. Të njëjtit ndodhen në ndalim 48-orësh, ndërsa është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Lajme të ngjashme