Seksologu kosovar: Puthjet e seksi oral paraqesin rrezik të infektimit nga Lija e Majmunit
Me shpërfaqjen e Lisë së Majmunit, Ministria e Shëndetësisë ka këshilluar “kufizimin e numrit të partnerëve seksual”. Këtë thirrje po e përshëndet seksologu kosovar, Hajrullah Fejza.
Fejza në prononcim për Gazetën Insajderi tha se kjo është një thirrje e drejtë.
“Një thirrje e drejtë e në kuptim të zvogëlimit të mundësisë së infektimit”, tha ai.
Seksologu thotë së duhet të ketë kujdes të shtuar por assesi abstenim nga aktiviteti seksual.
Sipas tij mundësia e të infektuarit gjatë procesit të seksit është e lartë, duke përfshirë edhe puthjet e seksin oral.
“Duke pasur parasysh shifrat, studiuesit besojnë se virusi mund të përhapet përmes kontakteve sociale, aktivitetit seksual dhe kontaktit intim lëkurë me lëkurë”, ka thënë Fejza për Insajderin.
“Aktualisht po bëhen hulumtime për të parë nëse virusi mund të transmetohet edhe përmes spermës ose lëngjeve vaginale, por është e mundur që kontakti lëkurë me lëkurë mund të jetë i mjaftueshëm për të shkaktuar infeksion”, u shpreh ai.
“Meqenëse seksi kërkon kontakt të ngushtë, intim, person me person, është e mundur të infektohen nga lija e majmunit gjatë pjesëmarrjes në seks. Kjo përfshin puthjen dhe seksin oral”, thekson seksologu.
Të shumta ishin raportimet se ky lloj infeksioni paraqitet më së shumit tek homoseksualët, gjegjësisht përmes marrëdhënies imtime mashkull me mashkull.
Edhe për këtë çështje seksologu Fejza dha sqarimin e tij.
“Studimet shkencore kanë gjetur se shumica e rasteve të infeksionit me Linë e Majmunit në Mbretërinë e Bashkuar, janë paraqitur kryesisht te meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM)”, deklaroi ai.
Por sipas seksologut jo vetëm homoseksualët por çdokush mund të infektohet nga kjo li.
“Duke pasur parasysh rrezikun e stigmës dhe përkeqësimit të diskriminimit, është e rëndësishme të pranohet se kjo është shpërthimi i parë i përhapur i lisë së majmunëve kryesisht në këtë popullacion por duhet potencuar gjithashtu se çdokush mund të sëmuret nga lija e majmunëve, jo vetëm MSM”, tha Fejza.
Seksologu dha edhe disa këshilla se si duhet të ruhemi në mënyrë që të mos prekemi nga kjo sëmundje.
“Masat e kontrollit në këtë rast kanë të bëjnë me shtim të kujdesit në përzgjidhje të partnerit duke i njohur simptomat dhe shenjat e sëmundjes me qëllim të shmangies së aktivitetit seksual me partnerë potencialisht të infektuar dhe me partnerë të ri e të dyshimtë. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton abstenim nga aktiviteti seksual por vetëm shtim të kujdesit”, tha ai.
Deri tani në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar nga Lija e Majmunit. Teksa sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, IKSHP njoftoi se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera.