Sejdiu: Asociacioni do të krijohet, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive
Ish-presidenti i Kosovës, Fatimir Sejdiu, në një intervistë për RTK ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të krijohet.
Ai thotë se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive pasi Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin e saj dhe nuk duhet të dilet nga ky vendim.
“Gjykata e ka dhënë mendimin e vet dhe këta janë të obliguar të shqyrtojnë atë mundësi të zbatimit të tij. Do të krijohet një Asociacion, por nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Me fjalë tjera, s’do të jetë përfaqësues siç e trumbetojnë sot me pompozitet serbët se përmes tij do të kenë delegatët e vetë në Kuvend e forma tjera. Është një rrugë tepër dinake dhe tepër djallëzore për të institucionualizuar atë mekanizëm, e i cili sipas Ahtisarit nuk ka kompetenca ekzekutive. Është një lloj i kompetencave mbështetëse teknike, këshillëdhënëse, të ndarjes së përvojave të mira të njërës komunë me tjetrën, që nuk i ndalon të bashkëpunojnë edhe me komunat me shumicë shqiptare apo edhe me komuna nga shtetet evropiane. Por, kjo nuk nënkupton assesi që të krijohet nivel i dytë i pushtetit, nuk nënkupton të thyhet karakteri unitar i shtetit”, ka thënë Sejdiu.
