Së paku tre të vrarë nga një sulm ajror izraelit në Gaza pas bisedimeve të reja të armëpushimit
Një sulm ajror izraelit la të vrarë të paktën tre palestinezë në Rripin e Gazës të hënën, thanë zyrtarët shëndetësorë, përderisa ndërmjetësit u takuan me udhëheqës të Hamasit në përpjekje për ta mbështetur marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Mjekët thanë se nga sulmi u godit një grup burrash afër një shkolle në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në spitalin “Al-Aksa” në Deir al-Balah, trupat e të vrarëve ishin shtrirë në dysheme, të mbështjellë në të bardha afër morgut, përderisa të afërmit dhe miqtë erdhën për t’ua dhënë lamtumirën. Disa njerëz ua puthën ballin viktimave para se të bënin lutje.
“Ky s’është armëpushim, është kurth për burrat e rinj. Çdo ditë ka martirë, çdo ditë. Sa mund të vazhdojë kjo” – tha Umm Hussam Abu El-Rous, e afërme e njërës nga viktimat.
“A nuk është e padrejtë që një fëmijë trevjeçar të jetë i frikësuar që ta shohë babanë e vet [të vdekur]? Ai thotë “babai shkoi për të më sjellë diçka nga shitorja” – shtoi ajo.
Më shumë se 750 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa militantët kanë vrarë katër ushtarë izraelitë. Izraeli dhe Hamasi e kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.