Së paku 70 të vrarë nga një masakër në Haiti, sipas një grupi për të drejtat e njeriut
Të paktën 70 njerëz u vranë në rajonin Artibonite të Haitit, tha të hënën drejtori i një grupi për të drejtat e njeriut.
Ky numër është dukshëm më i lartë se një shifër fillestare e publikuar më herët nga autoritetet qeveritare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një raport policor thuhet se të paktën 16 njerëz u vranë dhe 10 të tjerë u lënduan të dielën, në kohën e një konflikti me bandën “Gran Grif”.
Një zëdhënës i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së tha para gazetarëve gjatë një konference për gazetarë se ai e dënon fuqishëm sulmin e bandës, duke theksuar se ky rast e nënvizon gjendjen e rëndë të situatës së sigurisë në Haiti dhe bëri thirrje për një hetim të plotë.
Grupi që raportoi për numrin e viktimave tha se “masakra” kishte detyruar afro 6.000 njerëz që të iknin nga shtëpitë e tyre.
Anëtarë të armatosur të bandës “Gran Grif” e sulmuan zonën e grupit “Jean-Denis” rreth orës 3 të mëngjesit të dielën, thanë autoritetet lokale të mbrojtjes civile.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar shpërblim deri në 3 milionë dollarë për ata që ofrojnë të dhëna rreth aktiviteteve financiare të grupeve “Gran Grif” dhe “Viv Ansanm”, të cilat i konsiderojnë si grupe terroriste.