Së paku 31 palestinezë vriten nga sulmet izraelite në Rafah
Sulmet ajrore izraelite lanë të vrarë të paktën 31 palestinezë në Rafah të Gazës të shtunën herët, disa orë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kishte kërkuar nga ushtria që të bënte një plan për evakuimin e qindra mijëra njerëzve nga jugu i enklavës para një operacioni tokësor.
Gjatë natës së kaluar, tri sulme ajrore ndaj shtëpive në zonën e Rafah-s vranë 28 persona, sipas një zyrtari shëndetësor dhe gazetarëve të agjencisë “Associated Press”, të cilët i panë trupat duke u vendosur në spitale. Nga secili sulm u vranë disa anëtarë të tri familjeve, përfshirë gjithsej dhjetë fëmijë, më i vogli vetëm tremuajsh.
Fadel al-Ghannam i humbi të birin, të renë dhe katër nipa e mbesa në njërin nga këto sulme. Duke qëndruar pranë rrënojave, ai tha se sulmi i bëri trupat e të dashurve të tij copë-copë.
Ai ka frikë se do të bëhet edhe më keq, përderisa pritet të nisë një operacion tokësor i forcave izraelite në Rafah, dhe tha se heshtja e botës ia ka mundësuar Izraelit vazhdimin e këtyre sulmeve. “Deri më sot, bota nuk ka qenë e drejtë ndaj nesh dhe nuk i ka dhënë të drejtat tona” – th ai.
Më vonë të shtunën, një sulm tjetër la të vrarë tre oficerë të lartë të policisë civile, sipas zyrtarëve të qytetit Rafah.
Në Khan Younis, ku janë përqendruar luftimet e tanishme tokësore, forcat izraelite hapën zjarr drejt spitalit “Nasser”, duke vrarë të paktën dy persona e duke plagosur pesë të tjerë, sipas organizatës bamirëse mjekësore, “Mjekët pa Kufij”.