Së paku 22 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë - NACIONALE

Së paku 22 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm rus me raketa e dronë la të paktën 22 njerëz të vrarë gjatë natës së kaluar në pjesë të ndryshme të Ukrainës, përfshirë dy fëmijë, duke e bërë atë njërin nga sulmet më të mëdha të Moskës në muajt e fundit.

Një djalë 8-vjeçar dhe tri gra që u nxorën nga rrënojat e blloqeve banesore ishin në mesin e 16 të vrarë në Dnipro, thanë zyrtarët rajonalë. Në kryeqytetin Kiev, gjashtë njerëz u vranë, raporton televizioni BBC.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se infrastruktura civile dhe objektet e energjisë ishin vënë në shënjestër në mbarë vendin, ndërsa më shumë se 100 njerëz kanë pësuar lëndime.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se këto sulme ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mëparshme të Ukrainës, duke thënë në një deklaratë se të gjitha “objektivat e sulmit” janë arritur.

Kremlini tha të martën se po kryente “sulme sistematike” për të cilat ishte zotuar, pasi e kishte akuzuar Kievin për një sulm vdekjeprurës në një konvikt studentësh në pjesën e pushtuar të Ukrainës Lindore në fund të majit.

Në anën tjetër, Ukraina ka thënë se kishte goditur një njësi ushtarake ruse.

“Kjo praktikë do të vazhdojë” – tha të martën para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke pretenduar se në shënjestër të sulmeve ishte infrastruktura ushtarake e Ukrainës.

Lajme të ngjashme