Së paku 12 të vdekur nga zjarri në një kafene të karaokes në Vietnam
Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe 40 të tjerë janë lënduar nga një zjarr në një kafene të karaokes në jug të Vietnamit, raportuan të mërkurën mediet shtetërore.
Zjarri shpërtheu të martën në mbrëmje në një kafene të provincës Binh Duong, qendër e prodhimit industrial afër qytetit Ho Chi Minh, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve në Vietnam.
Raportohet se në mesin e të lënduarve, 11 janë në gjendje serioze.
“Kur shpërtheu zjarri, unë isha aq shumë në panik dhe vrapova për siguri dhe nuk më kujtohet se si ndodhi”, tha një dëshmitare.
Kryeministri i Vietnamit, Pham Minh Chinh, të mërkurën i urdhëroi Ministrinë e Sigurisë Publike dhe autoritetet lokale që ta hetojnë shkaktarin e zjarrit.
Karaokeja është e popullarizuar në Vietnam, por standardet e dobëta të sigurisë në qendra të ndryshme kanë shkaktuar shqetësim. Muajin e kaluar, tre zjarrfikës vdiqën nga një zjarr në një kafene tjetër të karaokes.