Sa kushtuan librat që u shpërndanë nxënësve në Luginë të Preshevës? - NACIONALE

Sa kushtuan librat që u shpërndanë nxënësve në Luginë të Preshevës?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se shpërndarja e teksteve shkollore për Luginën e Preshevës, i ka kushtuar buxhetit të shtetit, 255 mijë eurove.

E shpërndarja e teksteve u bë të hënën nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë vizitë së tyre në Luginë të Preshevës.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, Bislimi e Nagavci shpërndanë tekstet mësimore për nxënësit në shkollat fillore ‘’Muharrem Kadriu’’ në fshatin Tërnoc i Madh në Bujanoc dhe ‘’Zenel Hajdini’’ në fshatin Raincë në Preshevë.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mundësuar pajisjen me tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencave, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shpërndanë tekstet mësimore për nxënësit në shkollat fillore ‘’Muharrem Kadriu’’ në fshatin Tërnoc i Madh në Bujanoc dhe ‘’Zenel Hajdini’’ në fshatin Raincë në Preshevë.

‘’Është e rëndësishme që ajo çfarë ka munguar më herët në fushën e arsimit, si furnizimi me tekstet mësimore në gjuhën shqipe, të mos mungojë për brezat e ardhshëm dhe të kenë tekstet në gjuhën e tyre’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Z. Bislimi dhe znj. Nagavci shprehën kënaqësinë e veçantë të ndarjes së këtyre teksteve për herë të parë në Luginën e Preshevës. Drejtorët e këtyre shkollave i mirëpritën dhe shprehën mirënjohje për këtë iniciativë të Qeverisë dhe vlerësuan lartë kontributin e dhënë. Nga to, u pranuan dhurata simbolike, si libra dhe literaturë në gjuhën shqipe, të shkruar nga autorë nga Lugina e Preshevës.

Vlera e vënë në dispozicion për sigurimin e teksteve kap shifrën e 255 mijë eurove. Në këto vizita, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministrja Nagavci u shoqëruan nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Lajme të ngjashme