Ryabkov: Rusia nuk po e kërcënon askënd me armë bërthamore
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, tha të premten se Moska nuk është duke e kërcënuar askënd me armë bërthamore dhe se ballafaqimi i hapur me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n nuk është në interesin e Rusisë.
“Nuk po e kërcënojmë askënd me armë bërthamore. Kriteret për përdorimin e tyre janë të përcaktuara në doktrinën ushtarake të Rusisë”, citohet të ketë thënë zëvendësministri rus.
Në katër rajone ukrainase të kontrolluara nga Rusia po mbahen referendume për t’u bashkuar me Rusinë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se e përkrah këtë veprim, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtarët rusë, përfshirë ish-presidentin Dmitry Medvedev, kanë thënë se pas bashkimit të këtyre rajoneve me Rusinë, çfarëdo sulmi ndaj tyre nga forcat ukrainase do të konsiderohej si sulm ndaj Rusisë.
Sipas doktrinës bërthamore të Rusisë, kjo do ta lejonte përdorimin e armëve bërthamore, nëse Moskës i duket se është duke u ballafaquar me rrezik për ekzistencë. Medvedevi tha se Rusia e ka opsionin e përdorimit të armëve strategjike bërthamore me rreze të gjatë veprimi.
Sidoqoftë, zëvendësministri Ryabkov tha se Rusia nuk është duke kërkuar ballafaqim të hapur me Shtetet e Bashkuara ose me NATO-n dhe se vendi i tij nuk dëshiron që situata të eskalojë më shumë.