Rusia tregon se cilat profesione lirohen nga thirrja për mobilizim
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se personat e disa profesioneve do të përjashtohen nga thirrja për rekrutim në luftën e Ukrainës.
Punëtorët e teknologjisë së informacionit (IT), punëtorët e bankave dhe gazetarët e medieve shtetërore nuk do të përfshihen në mobilizimin e pjesshëm, të njoftuar të mërkurën nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Rreth 300.000 qytetarë rusë mund të marrin thirrje për rekrutim në ushtri. Ky vendim ka nxitur ikje nga vendi. Burrat e rinj po mundohen që ta shmangin rekrutimin e detyrueshëm.
Duke e dhënë njoftimin të premten për ata që përjashtohen nga rekrutimi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se punëdhënësit duhet ta bëjnë listën e punëtorëve që i plotësojnë kriteret për përjashtim nga mobilizimi dhe ta dorëzojnë në zyrat e saj.
Disa komentues kanë vërejtur se teksti i dekretit është lënë i paqartë – me gjasë për ta mundësuar zgjerimin e tij, nëse është e nevojshme.