Rusia akuzohet për rrëmbimin e drejtorit të centralit bërthamor në Zaporizhia - NACIONALE

Rusia akuzohet për rrëmbimin e drejtorit të centralit bërthamor në Zaporizhia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kompania ukrainase e energjisë bërthamore e akuzoi Rusinë të shtunën për rrëmbimin e drejtorit të centralit më të madh të energjisë bërthamore në Evropë, që tashmë është pushtuar nga forcat ruse dhe ndodhet në një zonë të Ukrainës që Rusia po synon ta aneksojë në mënyrë të paligjshme.

Forcat ruse e morën drejtorin e përgjithshëm të centralit bërthamor në Zaporizhia, Ihor Murashov, rreth orës 16:00 të premten, tha kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, “Energoatom”. Vetëm disa orë para kësaj periudhe, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dekrete për aneksimin e katër rajoneve ukrainase.

Kompania ukrainase tha se trupat ruse e ndaluan veturën e Murashov-it, ia lidhën sytë dhe e dërguan në një vend të panjohur, raporton agjencia “Associated Press”.

“Ndalimi i tij e rrezikon sigurinë e centralit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe të Evropës”, tha drejtori i kompanisë “Energoatom” Petro Kotin, i cili kërkoi që Rusia ta lirojë menjëherë Murashov-in.

Rusia nuk e pranoi menjëherë arrestimin e drejtorit të centralit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, që ka staf në këtë central, nuk e pranoi menjëherë pretendimin e “Energoatom”-it për kapjen e Murashov-it.

Lajme të ngjashme