Rrustemi reagon pas aludimit të Ramadanit për lidhjen me të dyshuarin për kërcënimin ndaj Haradinajt, paralajmëron padi - NACIONALE

Rrustemi reagon pas aludimit të Ramadanit për lidhjen me të dyshuarin për kërcënimin ndaj Haradinajt, paralajmëron padi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar lidhur me deklaratat dhe akuzat e fundit ndaj tij dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, duke i cilësuar si të papranueshme gjuhën fyese dhe aludimet për lidhje familjare me një person të arrestuar.

Rrustemi ka dënuar gjuhën kërcënuese dhe fyese të përdorur ndaj Haradinajt, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të kalojnë në sulme personale.

“Gjuha e personit në fjalë ndaj Ramush Haradinajt është gjuhë e papranueshme e kësisoj e dënueshme. Ajo gjuhë nuk mund të justifikohet pavarësisht nga kush vjen”, ka shkruar Rrustemi.

Ai ka mohuar gjithashtu çdo lidhje familjare me personin e arrestuar, duke i cilësuar këto pretendime si “krejtësisht të pabazuara”.

Rrustemi ka sqaruar se, ndonëse ka dëgjuar për personin në fjalë si ish-ushtar i UÇK-së që jeton në Obiliq, nuk e ka njohur personalisht dhe nuk ka pasur dijeni për praninë e tij në Kuvend gjatë kohës kur ai ka qenë deputet.

Duke iu referuar prejardhjes së nënës së tij nga Dobraja e Madhe, Rrustemi ka thënë se familja Llugiq në atë fshat është e madhe, por ka mohuar lidhjen e tij familjare me personat e apostrofuar.

“Prandaj çfarëdo tendence për të lidhur emrin tim me këta emra, është veç një përpjekje për goditje politike, të cilat nuk e ndikojnë veprimtarinë time politike”, ka deklaruar ai.

Në fund, Rrustemi ka kërkuar nga deputeti Burim Ramadani dhe mediat që, sipas tij, kanë publikuar këto pretendime, që t’i tërheqin ato menjëherë. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ligjore.

“Pres që ta tërheqin menjëherë shpifjen deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara, përndryshe për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi”, ka shkruar Rrustemi.

Lajme të ngjashme