Rrusta: Në Kosovë paguhesh shumë pak, ka pasiguri të madhe në punë - NACIONALE

Rrusta: Në Kosovë paguhesh shumë pak, ka pasiguri të madhe në punë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Teuta Rrusta, nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka folur në lidhje me migrimin e forcës punëtore nga Kosova në vendet perëndimore. Ajo ka thënë se punëtorët që po shkojnë në shtete të tjera po paguhen e po trajtohen shumë më mirë se sa në Kosovë.

Rrusta ka thënë se në Kosovë pagat janë shumë të ulëta, dhe se sipas saj kjo është një nga arsyet që të rinjtë e Kosovës po ikin nga vendi.

“Paguhesh shumë pak për një punë në Kosovë, dhe ka pasiguri të madhe në punë , që nuk ia vlen barra qeranë”, ka thënë Rrusta në Debat Plus.

Sipas saj, Kosova nuk ofron mbikëqyrje të kontratave se a janë ato të vërteta edhe në praktikë ashtu siç janë të shkruara në letër apo në statistikat shtetërore.

“Kontrata është ajo se çfarë kompanitë deklarojnë para shtetit por jo realitetin në terren”, ka shtuar ajo.

Ajo ka folur edhe për rolin e skemave sociale, që për të do të duhej që të siguronin mirëqenie sociale.

“Asistenca sociale është një minimum jetik, që jo vetëm të ushqehet por dhe të mund të studiojë”, ka thënë ajo.

Rrusta ka shtuar se skemat sociale të Qeverisë Kurti 2 nuk janë në përputhje me rolin që do të duhej të kishin, që sipas saj do të duheshin të minonin pasigurinë për kategoritë e dobëta.

“Me 6 muaj dhe 2 muaj këto nuk sigurojnë as një lloje stabiliteti”, ka përfunduar ajo.