Rrusta e PSD-së: Dy vitet e fundit me një qeveri të re, urrejtja dhe inati vetëm sa janë rritur
Anëtarja e PSD-së, Teutë Rrusta ka reaguar ndaj qytetarit që sot në protestë ka thënë ‘hajn jam në Evropë’.
Rrusta përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qytetarët kanë votuar para dy vitesh mundësinë e re, por sipas saj mundësia nuk është garanci.
“U pat menduar që pushtetet e kaluara kanë grumbulluar shumë zemërim e pakënaqësi, saqë ishin bërë urrejtje. Dhe për këtë ato parti morën përgjigjen e merituar. Nuk u zgjodhën më. A po? Më në fund drejtësia zuri vend. Qytetarët përmbushën aspiratën. Votuan mundësinë e re. Por mundësia nuk është garanci.”- ka shkruar ajo.
Ajo ka shkruar se për të mbetur gjallë Lëvizja Vetëvendosje, i duhej smira dhe urrejtja.
“Na doli dardhë me bisht, sepse për të mbetur gjallë i duhej smira dhe urrejtja. Depolitizimi. Instrumentalizimi. Sepse në të kundërtën, si shpjegohet që dy vitet e fundit, me një qeveri të re, urrejtja dhe inati vetëm sa janë rritur, zgjeruar.. a nuk pritej një lumtur, besim e gëzim. Një afirmitet.” – ka shkruar anëtarja e PSD-së.
Rrusta ndër të tjera ka thënë se klima në Kosovë vetëm sa është përkeqësuar, e për këtë motor prijës dhe organizues është Lëvizja parti.
“Klima në Kosovë vetëm sa është përkeqësuar, e për këtë motor prijës dhe organizues është Lëvizja parti. Kurrë më parë nuk kemi përjetuar një forcë të tillë. Ajo e di që hakmarrje kërkon mish. Dhe që premtimi për hakmarrje është i papërmushëshëm, krijon zbrazëti dhe frustrim edhe për hakmarrësin. Ajo nuk ngopet. Është gropë.” – ka shkruar Rrusta.
