Rreth 90 të vrarë nga dhuna mes bandave në Haiti
Të paktën 89 persona raportohet të jenë vrarë për një javë nga dhuna mes bandave në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince.
Kryetari i lagjes së varfër, Cite Soleil, tha se dy aleanca kriminale, të njohura si G9 dhe G-Pep, po luftojnë për ta marrë nën kontroll zonën.
Kryetari i qytetit, Joel Janeus, tha se banorët janë në gjendje rrethimi dhe u mungojnë uji, ushqimi dhe karburantet.
Dhuna mes bandave në Haiti është shtuar që nga vrasja e presidentit, Jovenel Moise, nga mercenarët vitin e kaluar.
Luftimet më të reja mes bandave shpërthyen të enjten e javës së kaluar. Ndonëse nuk është dhënë ndonjë shifër zyrtare, grupi për të drejtat e njeriut, RNDDH, thotë se është në dijeni për 89 persona të vrarë.
Dyzet e shtatë prej të vrarëve janë identifikuar si anëtarë të bandave, ndërsa dyzet e dy të tjerë mendohet se ishin banorë, që u vranë pa qëllim gjatë luftimeve.