Rrahmani: Në Kosovën “autoritare” po vazhdon shtrenjtimi i naftës, bukës, qumështit dhe produkteve tjera bazë - NACIONALE

Rrahmani: Në Kosovën “autoritare” po vazhdon shtrenjtimi i naftës, bukës, qumështit dhe produkteve tjera bazë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka treguar se çmimet e qumështit, vajit, miellit dhe produkteve bazë janë më të lira në disa vende të BE-së se në Kosovë.

Ai ka bërë me dije se këto vende tani kanë ulur edhe taksat për derivate.

Në profilin e tij në Facebook, Rrahmani ka shkruar se vetëm në Kosovë vazhdon çmimi i shtrenjtë i naftës dhe produkteve tjera.

“Në Gjermani, Francë, Itali dhe në shumë vende të Bashkimit Evropian, ku pagat janë shumë më të larta se në Kosovë, çmimet e qumështit, vajit, miellit dhe produkteve bazë janë më të lira se këtu. Madje, këto shtete kanë ulur ose hequr taksat për derivatet për të mos lejuar rritjen zinxhirore të çmimeve dhe për të mbrojtur standardin e qytetarëve të tyre. Ndërsa në Kosovën “autoritare”, vazhdon çmimi i shtrenjtë i naftës, vazhdon rritja e bukës, ujit, qumështit, vajit, sheqerit dhe çdo produkti bazë. Qeveria nuk ndërmerr asnjë veprim konkret. Asnjë masë reale. Asnjë ndërhyrje për të frenuar valën e shtrenjtimit”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Çmimet tashmë kanë filluar të rriten. Edhe nëse nesër merren masa, ose edhe nëse bie çmimi i naftës, efekti do të jetë minimal, sepse tregu njëherë kur i rrit çmimet, nuk i ul lehtë. Dëmi tashmë është bërë. Faturën e kësaj papërgjegjësie do ta paguajë qytetari që jeton çdo ditë në Kosovë, familja me paga të ulëta, punëtori i sektorit privat, pensionisti. Pushteti vazhdon të arkëtojë më shumë, ndërsa qytetari vazhdon të varfërohet”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme