Rrahmani mohon përçarjet me VV-në pasi s’votoi pro martesave të gjinisë së njëjtë: Mediat po duan klikime
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka mohuar të ketë përçarje me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi nuk votoi pro martesave mes gjinive të njëjta.
Rrahmani në Tëvë1 ka akuzuar mediat se po bëjnë raportime të tilla vetëm për klikime, përkundër se ky i fundit sot nuk u ulë bashkë me deputetët e tjerë të partisë dhe bojkotoi zgjedhjet e partisë.
“Nuk ka asnjë krisje, apo asnjë grupacion i cili dëshiron të marrë ndonjë veprim ose të krijojë diçka ndryshe nga grupi parlamentar i LVV-së. Disa portale vetëm për klikime nxjerrin lajme të tilla. Disa persona dëshirojnë me përfitu prej lajmeve të tilla, dhe sjelljeve të tilla jokorrekte.Nuk kam parë indikacione që dikush mund të largohet, s’e kam plan të bëjë një diçka të tillë. Votuesit më kanë votu, unë kam garu nën petkun e LVV-së dhe mandate im do të përfundojë nën LVV”, tha ai.
Rrahmani tutje shtoi se ka dallime me partinë në pushtet, por se ato dihen publikisht dhe se do të mundohet të punojë deri në fund të mandatit.
“Kam dallime edhe në shumë çështje, me shumë deputetë, me çështje të caktuara siç ka qenë Kodi Civil, që edhe publikisht…Por ato dallime, i kemi deklaru publikisht, dihen. Natyrisht që puna dhe angazhimi ynë është që të ketë qeverisje të mirë e stabile. Do të mundohem që deri në fund të mandatit të jap kontributin maksimal që të ketë qeverisje dhe Kuvend”, tha ai.
