Roja i sigurisë së ambasadës britanike, pranon se ka spiunuar për Rusinë
Një roje sigurie ka pranuar se ka spiunuar për Rusinë, ndërsa ishte duke punuar për Ambasadën Britanike në Berlin.
Sipas prokurorëve, David Smith 58-vjeç kishte dashur “të lëndonte” Britaninë e Madhe dhe ambasadën ku kishte punuar për tetë vjet.
Britaniku i akuzuar për mbledhjen e informacionit në lidhje me ambasadën dhe nxjerrjen e dokumenteve sekrete, sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare është deklaruar fajtorë për tetë akuza.
Akuzat e ngritura ndaj Smith tregojnë se ai kishte komunikuar me gjeneral-major Sergey Chukhurov, atasheun ushtarak rus me qendër jashtë Ambasadës Ruse në Berlin në vitin 2020 - duke dhënë informacione për adresat, numrat e telefonit dhe aktivitetet e nëpunësve të ndryshëm civilë britanikë.
Më tej thuhet, se ai kishte mbledhur informacione mbi funksionimin dhe strukturën e ambasadës, të dobishme për "një armik, përkatësisht shtetin rus", i shtyrë nga një urrejtje e fortë për vendin e tij dhe i zemëruar nga valëvitja e flamurit në mbështetje të komunitetit LGBT.
Një pjesë e materialit të dhënë nga Smith ishte klasifikuar si "sekret" dhe lidhej me aktivitetet e qeverisë britanike dhe ambasadës së saj në Gjermani.
Smith ishte arrestuar në gusht të 2021 në Gjermani dhe do të dënohet në një datë të mëvonshme, ku pritet të përballet me një maksimum prej 14 vitesh burg.
