Reuters: Izraeli i tha ShBA-së se s’do të presë edhe dy javë, kërkon veprim të shpejtë ndaj Iranit
Zyrtarët izraelitë i kanë thënë administratës Trump se nuk duan të presin dy javë që Irani të arrijë një marrëveshje për çmontimin e pjesëve kyçe të programit të tij bërthamor dhe se Izraeli mund të veprojë i vetëm përpara se të skadojë afati, ka raportuar Reuters, në një kohë kur në ekipin e Trump-it vazhdon debati nëse ShBA duhet të përfshihet.
Reuters, duke cituar dy burime të njohura me çështjen, shkroi se Izraeli i ka komunikuar shqetësimet e tij zyrtarëve të administratës Trump të enjten në atë që u përshkrua si një telefonatë e tensionuar.
Zyrtarët izraelitë kanë thënë se nuk duan të presin dy javët që presidenti amerikan Donald Trump i dha si afat për të vendosur nëse ShBA do të përfshihet në luftën mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas një burimi të sigurisë, shkruan Reuters, në telefonatë morën pjesë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe shefi i shtabit ushtarak Eyal Zamir.
Sipas burimeve, izraelitët besojnë se kanë një dritare të kufizuar veprimi për të goditur objektivin fort të mbrojtur në Fordow, që konsiderohet si "gur kurorë" i programit bërthamor iranian. Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që posedon bomba të fuqishme në gjendje të depërtojnë në objektiva të tilla nëntokësore, të futura në anën e një mali.