Retkoceri: Komuna po i kërcënon qytetarët me përmbarim për faturat e mbeturinave, skemë e kundërligjshme
Përplasjet mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi” për pagesat e mbeturinave po zgjasin prej më shumë se pesë muajsh.
Së fundmi, qytetarëve u janë dërguar paralajmërime për përmbarim nga komuna.
Për këtë ka reaguar edhe shefi i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, i cili ka akuzuar Komunën dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike (DSHP) se po dërgojnë zarfa me kërcënime për përmbarim në mënyrë të paligjshme.
“Zarfa me kërcënime për përmbarim po u dërgohen qytetarëve në mënyrë të paligjshme nga Komuna dhe DSHP, në kundërshtim të plotë me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, që qartëson se pagesa duhet të bëhet nga ndërmarrja “Pastrimi”. Përmes kësaj skeme të kundërligjshme Rama e Brestovci po u kërkojnë qytetarëve para që s’iu takojnë, për të shpërblyer kompanitë me të cilat kanë bërë pazare”, thuhet në reagim.