REL: Çekia përfshin kërkesën e Francës, kushtëzohet liberalizimi i vizave për Kosovën
Presidenca çeke e Këshillit të BE-së, e ka marrë parasysh kushtëzimin e Francës që sistemi ETIAS të lidhet me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e një vendimi eventual për liberalizimin e vizave për Kosovën, të kushtëzohet me fuqizimin e Sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili është bazë për diskutimet që do të zhvillohen më 9 apo 10 nëntor, në takimin e radhës të grupit punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
Franca e ka nxjerrë këtë kusht qysh në takimin e një grupi punues të Këshillit të BE-së për vizat.
