Refuzohet kërkesa e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, mbetet në burg
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zhvilluar sot seancën për ish-presidentin Ilir Meta, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë që po mbahet ndaj tij. Pas shqyrtimit të kërkesës, gjykata vendosi ta rrëzojë atë, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg për kreun e Partisë së Lirisë.
Ndërkohë, më herët u raportua se gjyqtarja që ka në dorë çështjen, Irena Gjoka, kishte paraqitur kërkesë për të hequr dorë nga shqyrtimi i dosjes. Megjithatë, kjo kërkesë u refuzua dhe procesi vijoi me vendimmarrjen për Metën.
Avokati i ish-presidentit, Kujtim Cakrani, reagoi pas vendimit, duke shprehur pakënaqësinë e tij për qëndrimin e gjykatës.
“Nuk kam aluduar fare se do kishte një vlerësim tjetër për masën. Nuk kam kërkuar dorëheqjen e zonjës Gjoka, por nga sot do ta paragjykoj, sepse ajo nuk mund ta trajtojë këtë çështje siç duhet. Kjo është një çështje politike dhe ajo nuk është në gjendje ta përballojë,” u shpreh Cakrani.