“Refuzimi i gazit amerikan është orientim antiamerikan” – Hoti fton qytetarët në protestë
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi publik, Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për refuzimin e projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane, duke vlerësuar se ky vendim rrezikon ta lërë Kosovën jashtë një projekti rajonal me rëndësi strategjike.
“Duke refuzuar projektin e Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane, Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që mbetet jashtë këtij projekti”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, refuzimi i projektit po vazhdon pavarësisht kërkesave të përsëritura të administratës amerikane që Kosova të bëhet pjesë e nismës rajonale energjetike.
Hoti ka rikujtuar se projekti buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje se e kishte kundërshtuar atë marrëveshje që nga fillimi.
“Sot, secili e ka të qartë se ato kundërshtime burojnë nga orientimi antiamerikan i LVV-së. Dhe kjo nuk është gjë e re”, ka deklaruar ai.
Ish-kryeministri ka hedhur poshtë argumentet ekonomike të Qeverisë për refuzimin e projektit, duke thënë se projekti i gazit amerikan është në përputhje me strategjinë energjetike të Kosovës dhe ndihmon në diversifikimin e burimeve energjetike.
“Ky projekt është plotësisht komplementar me të gjitha projektet energjetike të parapara nga Kosova, duke i mundësuar Kosovës diversifikimin e burimeve të energjisë dhe sigurinë e plotë të furnizimit”, është shprehur Hoti.
Ai ka argumentuar se refuzimi i projektit ka pasoja ekonomike, duke pretenduar se qytetarët dhe bizneset kanë paguar qindra miliona euro për import të energjisë gjatë katër viteve të fundit.
Sipas Hotit, projekti ka edhe rëndësi të madhe gjeopolitike, pasi synon të zvogëlojë ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Siç deklarohet nga pala amerikane, projekti i gazit amerikan ka për qëllim, para se gjithash, të largojë ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë ai.
Në fund, Hoti u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të bashkohen në një protestë demokratike në mbështetje të projektit.
“Unë bëj ftesë që odat ekonomike, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit të bashkohen në protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe ruajtjes së aleancës së pacenueshme të popullit të Kosovës me popullin amerikan”, ka përfunduar Hoti.