Refuzimi i AK-së për të marrë pjesë në Kuvend, Bajrami: Mund t’i ikni një takimi, por jo edhe përgjegjsisë - NACIONALE

Refuzimi i AK-së për të marrë pjesë në Kuvend, Bajrami: Mund t’i ikni një takimi, por jo edhe përgjegjsisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur për nesër në Kuvendin e Kosovës. Sipas deputetes Bajrami, Autoriteti ka refuzuar ftesën duke u thirrur në “pavarësinë institucionale”, një justifikim që ajo e cilëson si të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me vetë ligjin në të cilin mbështetet ky institucion.

“Autoriteti i Konkurrencës refuzon të marrë pjesë në takimin e nesërm në Kuvend, në emër të “pavarësisë institucionale” E pabesueshme, por e vërtetë! Autoriteti i Konkurrencës e justifikon refuzimin për ftesën në takim nesër duke cituar nenin 21, paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-056 - LIGJ PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS, ku thuhet se Autoriteti është agjenci e pavarur që i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, i ikin Kuvendit duke u thirrur në ligjin që thotë se duhet t’i përgjigjen Kuvendit.” – ka shkruar Bajrami.

Bajrami ka publikuar dy pyetje që kishte planifikuar t’i parashtrojë në takim, teksa shpjegoi se takimi është thirrur në Kuvend të Kosovës:

“📌A ka KESCO pozitë dominuese në tregun e energjisë?

Shihni çfarë thotë LIGJI Nr. 08/L-056 - LIGJ PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS

Neni 9 – Keqpërdorimi i pozitës dominuese

1. Ndalohet keqpërdorimi i pozitës dominuese.

2. Ndërmarrja ose grupimi i ndërmarrjeve keqpërdor pozitën dominuese nëse:

2.1. drejtpërdrejt ose tërthorazi vendos çmim të padrejtë të blerjes ose shitjes ose kushte të tjera të padrejta tregtare;

2.2. kufizon prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve;

2.3. zbaton kushte të ndryshme për transaksione të barasvlershme me ndërmarrjet e tjera, duke i vënë ato në pozitë të pafavorshme konkurruese;

2.4. kushtëzon lidhjen e kontratës me detyrime shtesë që nga natyra ose përdorimi tregtar nuk kanë lidhje me objektin e kontratës;

2.5. vendos çmime ose kushte të tjera që kanë për qëllim ose rezultat pengimin e hyrjes në tregun përkatës ose nxjerrjen jashtë tregut përkatës të konkurrentëve të veçantë ose të produktit të tyre;

2.6. i refuzon ndërmarrjes tjetër qasje kundrejt shpërblimit të përshtatshëm në rrjet ose infrastrukturë, duke ia pamundësuar të veprojë si konkurrent.

3. Autoriteti nxjerr akt nënligjor për keqpërdorimin e pozitës dominuese.”

Pyetja tjetër për Autoritetin që po refuzojë të vijnë nesër në takim është:

📌 A keni bërë vlerësimin e konkurrencës në bashkëpunim me ZRRE-në, siç e kërkon Ligji për Energjinë Elektrike?

“LIGJI Nr. 05/L – 085 - LIGJ PËR ENERGJINË ELEKTRIKE

Neni 26 – Zhvillimi i Konkurrencës

1. Rregullatori, në konsultim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe me Zyrën e Ndihmës Shtetërore, së paku çdo dy (2) vite duhet të kryejë hetime lidhur me funksionimin e tregut të energjisë elektrike. Raportet e Rregullatorit duhet të publikohen pa vonesë.”

Deputetja kritikoi vendimin për të mos marrë pjesë në Kuvend, duke argumentuar se kjo nuk përbën “pavarësi”:

“Në vend që të përgjigjeni me profesionalizëm, ju paskeni zgjedhë të mos vini në Kuvend, por refuzimi dhe heshtja nuk është pavarësi – është thënë më se buti paaftësi. Për pavarësinë s’po flasim fare sepse e dimë sa të pavarur jeni. Ne megjithatë do të jemi nesër në Kuvend, bashkë me përfaqësues të bizneseve, ZRRE-së, KESCO-s dhe nuk do të ndalemi së pyeturi e së kërkuari përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe deformimin e tregut. Ju mund t’i ikni një takimi, por jo edhe përgjegjsisë që ju jepë Ligji. Shihemi, nëse jo nesër, një herë tjetër!” – tha deputetja e LDK-së.

Lajme të ngjashme