Rasti i qumështores “VITA”, OEK bën thirrje për transparencë dhe respektim të procedurave ligjore
Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar rreth mbylljes së përkohshme të qumështores VITA.
Në reagim OEK ka vlerësuar se pretendimet e ngritura nga kompania për tejkalim të kompetencave nga institucionet përgjegjëse janë serioze.
Për këtë arsyeje oda ka kërkuar nga institucionet kompetente që të ofrojnë sqarime të plota dhe transparente mbi bazën ligjore, proporcionalitetin dhe procedurat e ndjekura.
“OEK rithekson se siguria ushqimore dhe zbatimi i ligjit janë obligime të panegociueshme, por kontrollet inspektuese duhet të jenë profesionale, të paanshme dhe të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë, duke shmangur çdo trajtim selektiv. Njëkohësisht, prodhuesit vendorë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për konkurrencën nga importi dhe kanë kërkuar forcim të mekanizmave të kontrollit dhe mbështetje më të madhe institucionale për prodhimin vendas”, është thënë në reagimin e OEK, duke dhënë detaje tjera.
“Veprimet ndaj një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë krijojnë shqetësim serioz në komunitetin e biznesit, pasi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në punëtorë, fermerë furnizues, zinxhirin e furnizimit dhe ekonominë vendore në tërësi. Sipas të dhënave të kompanisë, VITA grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga më shumë se 1,000 fermerë në mbarë Kosovën, duke përbërë një hallkë të rëndësishme të sektorit agro-ushqimor”, ka vlerësuar oda.
Ndër të tjera, OEK ka theksuar rëndësinë që institucionet kompetente të sqarojnë sa më shpejt rrethanat e rastit.
“OEK bën thirrje për: • transparencë të plotë institucionale; • respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave të bizneseve; • trajtim të barabartë dhe të paanshëm të operatorëve ekonomikë; • politika të qëndrueshme për mbështetjen e prodhimit vendor”, është thënë në reagim.