Raportohet për sulme në Mykolaiv e disa të vrarë në Ukrainë
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan të enjten në qytetin jugor ukrainas, Mykolaiv, në kohën kur forcat ruse po sulmojnë në disa rajone, raporton agjencia “Associated Press”.
Të paktën katër civilë u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të kaluara. Nëntë rajone janë sulmuar, sipas zyrës presidenciale të Ukrainës.
Kjo zyrë gjithashtu tha se dy distrikte të qytetit Mykolaiv, që kanë qenë shpesh caqe në javët e fundit, janë bombarduar.
Raportohet se forcat ruse hodhën 60 raketa në Nikopol, në rajonin qendror, Dnipropetrovsk. Rreth 50 ndërtesa banimi u dëmtuan në qytetin me rreth 107.000 banorë, ndërsa disa predha i goditën linjat e rrymës, duke i lënë banorët në terr, sipas autoriteteve ukrainase.