Raportimi i Nacionales për dallaveret me naftë e ujë, Prokuroria jep detaje për aksionin: 9 të arrestuar, 21 lokacione të kontrolluara
Nëntë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të gjerë kundër krimit të organizuar, i zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Operacioni është udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës. Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë janë kryer kontrolle në 21 lokacione të ndryshme.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 15 mijë euro para të gatshme, pesë vetura, pesë autobotë për transport të derivateve të naftës, dy armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relevante për hetimin. Po ashtu, autoritetet kanë konfiskuar 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar personat me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohen për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimet, si dhe shmangies nga tatimi.
Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet kanë krijuar dyshimin e arsyeshëm se të arrestuarit kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, duke paraqitur dokumente të rreme tatimore dhe duke realizuar shitje e transaksione fiktive të derivateve të naftës.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të veprimeve procedurale hetimore dhe hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.