Raportet Kosovë–ShBA, Maliqi: Asnjëherë më të brishta, izolimi mund të thellohet
Analisti Agon Maliqi vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ndodhen në një pikë të ndjeshme, pas takimeve të një delegacioni të shoqërisë civile në Uashington me zyrtarë, anëtarë të Kongresit, analistë dhe përfaqësues të administratës amerikane.
“Raporti nuk ka qenë asnjëherë më i brishtë. Ka një moskuptim nga ana e Uashingtonit mbi orientimin strategjik të Kosovës.
Nuk shihet asnjë interesim nga ana e Kosovës për ta thelluar këtë marrëdhënie ose për të ecur përpara bashkërisht”, tha Maliqi në Info Magazine të Klan Kosovës.
Sipas tij, Uashingtoni nuk synon më të ndërhyjë në mikromenaxhimin e proceseve në Kosovë, ndërsa pret bashkëpunim për çështjet ku kërkohet ndihma amerikane.
Maliqi tha se Kosova ka nevojë për SHBA-në për anëtarësim në NATO dhe njohje të reja, por po tregohet shpërfillëse ndaj saj.
Ai kujtoi faktin se Kosova nuk ka kompani lobimi, ndërsa Serbia i ka gjashtë dhe Republika Sërpska 14 në Uashington.
Maliqi paralajmëroi se rreziku për Kosovën është thellimi i izolimit.