Ramadani: Fytyra e vërtetë e Albin Kurtit është Donika Gërvalla, jo Shqipe dhe Rexhep Selimi
Politologu Shkodran Ramadani ka komentuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj Gjykatës Speciale.
Ai ka kritikuar shefin e qeverisë për emërimin e serishëm të Donika Gërvallës për ministre të Drejtësisë.
Në profilin e tij në Facebook, Ramadani ka shkruar se fytyra e vërtetë e Kurtit është Donika Gërvalla dhe jo Shqipe dhe Rexhep Selimi.
“Fytyra e vërtetë e Albin Kurtit janë Donika Gërvalla dhe Jeton Shasivari, jo Shqipe dhe Rexhep Selimi. Cilido që të jetë vendimi, është e sigurt që procesi do të vazhdohet edhe në Apel. Paramendoni se cili do të jetë roli dhe qasja e Qeverisë së Kosovës me Ministre Donika Gërvallën, e cila vetë ka deklaruar se ka dërguar "prova" kundër krerëve të UÇK-së. Ajo ka deklaruar më shumë se një herë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë kokat e krimit dhe përgjegjësit për vrasjet politike”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Kjo qasje njëherësh ka qenë boshti i karrierës së saj politike. Me cilën logjikë ajo do të angazhohet që të zhbëjë punën e saj jetësore? Pse në proces të apelit ajo do të punojë në të mirë të këtyre që i ka akuzuar për vrasje të pasluftës? Ajo është maskota kryesore e akuzave të Botës Sot ndaj udhëheqësve të UÇK-së. E bash për këtë arsye Albin Kurti e ka bërë Ministre të Drejtësisë, që të qetësojë elektoratin e tij Anti-UÇK, duke i siguruar se "flirtimet e tij me UÇK-në" dhe pjesëmarrja në protestë e disa deputetëve të tij janë vetëm spektakël dhe kokrra kallamoçi për trushpërlarët sepse qëndrimi i tij i vërtetë institucional shprehet qartë përmes emërimit të Donika Gërvallës dhe Ministrit të tij të Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që dha një deklaratë të rëndë për krerët e UÇK-së”, ka shkruar ai.